Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot, të dielën, në një seancë të posaçme, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me sanksione për shkak të çështjes së Grenlandës, raportoi agjencia gjermane DPA.
Qiproja, e cila mban presidencën rrotulluese të Këshillit të BE-së, njoftoi mbrëmë se, si reagim ndaj deklaratave më të fundit nga Shtetet e Bashkuara, është thirrur një takim i jashtëzakonshëm në nivel ambasadorësh për pasditen e së dielës.
Trump deklaroi se SHBA do të vendosë tarifa shtesë prej 10 për qind për importet nga tetë vende evropiane duke filluar nga 1 shkurti, për shkak të mosmarrëveshjes rreth Grenlandës. Ai paralajmëroi gjithashtu tarifa për të gjitha vendet që nuk mbështesin “okupimin” e Grenlandës, duke rritur më tej presionin.
Presidenti amerikan ka përsëritur se dëshiron ta ketë Grenlandën nën kontrollin e SHBA-së për të garantuar sigurinë e Arktikut, përballë asaj që ai e cilëson si kërcënim nga Kina dhe Rusia.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se tarifat do të zbatohen për të gjithë importin amerikan nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda, dhe se ato do të rriten në 25 për qind duke filluar nga qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje që SHBA të blejë Grenlandën.
Grenlanda, e cila gëzon autonomi të gjerë, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, anëtare e NATO-s. Autoritetet e Grenlandës kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e SHBA-së, ndërsa edhe vendet anëtare të NATO-s vlerësojnë se SHBA-së nuk i nevojitet kontrolli i ishullit për të mbrojtur Arktikun.
Ende nuk dihet nëse në takimin e sotëm do të diskutohen masa konkrete kundërpërgjigjeje. BE-ja disponon një instrument mbrojtës kundër presionit tregtar, i cili lejon vendosjen e kundërtarifave dhe masave të tjera, por që parashikohet të përdoret vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha opsionet e tjera.
Ndërkohë, vendet ndaj të cilave Trump ka kërcënuar me tarifa kanë njoftuar dislokimin e personelit ushtarak për misione zbulimi në Grenlandë, në kuadër të stërvitjes daneze “Qëndrueshmëria Arktike”, e organizuar së bashku me aleatët e NATO-s.

