Sot, në Ditën e Alfabetit, zhvilluam një drekë pune me Kryeministrin e Kosovës, mikun tim Albin Kurti, Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin dhe liderët e VLEN-it, në një ditë që na kujton themelin e identitetit tonë politik e kulturor. Kongresi i Manastirit mbetet akti që i dha gjuhës shqipe unitet dhe kombit tonë drejtim, një vendimmarrje që edhe sot na mëson për vizionin, guximin dhe përgjegjësinë që kërkon shtetndërtimi. Në këtë frymë bashkëbisedimi, uruam njëri-tjetrin për sukseset në zgjedhjet lokale në të dy vendet tona dhe u dakorduam të thellojmë bashkëpunimin për zhvillim, stabilitet dhe integrim europian. Kur bashkëpunojnë dy qeveri që ndajnë të njëjtat parime, fitojnë qytetarët, forcohet besimi dhe ndërtohet e ardhmja që meritojmë.


