Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës së shpejti do të ketë ambiente plotësisht të klimatizuara dhe një hapësirë të re parkimi me kapacitet prej rreth 130 automjetesh, falë donacioneve nga disa kompani kumanovare. Këtë e bëri të ditur drejtori i institucionit, Sasho Stoshevski, i cili shprehu mirënjohje për të gjitha firmat që iu përgjigjën thirrjes për mbështetje.
Ai shtoi se një nga donacionet më të rëndësishme është sigurimi dhe vendosja e rreth 50 deri në 60 pajisjeve klimatike, me qëllim që të mos mbetet asnjë hapësirë në spital pa ngrohje apo ftohje.
“Aktualisht po instalohen në spital dhe planifikohet që asnjë dhomë të mos mbetet pa pajisje klimatizimi, sepse na janë shumë të nevojshme, si për periudhën e verës ashtu edhe për dimër,” theksoi drejtori Stoshevski.
Ndër donacionet më të mëdha është edhe rregullimi i një hapësire që më parë ishte e lënë pas dore, e cila tani do të shndërrohet në vend të ri parkimi, çka – sipas drejtorit – do të zgjidhë problemin e parkimit.
Stoshevski theksoi gjithashtu se falë “Rotary Club”, është rregulluar edhe repart i fëmijëve – spitali ditor, i cili së shpejti do të vihet në funksion.
Në vazhdim janë edhe aktivitetet për zbardhjen dhe pajisjen e repartit infektiv, atij të brendshëm dhe kirurgjikal, si dhe laboratorit biokimik.
“U bëj thirrje qytetarëve të Kumanovës për mirëkuptim, sepse për momentin po zhvillohen disa punime ndërtimore në rrethinën e spitalit. Shpresoj që deri në fund të muajit gjithçka të përfundojë,” shtoi Stoshevski.
Drejtori konfirmoi gjithashtu se spitali e ka zgjidhur përfundimisht problemin me larjen dhe tharjen e çarçafëve dhe rrobave, përmes blerjes së makinave industriale me procedurë të prokurimit publik./ Kumanovo News

