Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri dhe lideri socialist Fatos Nano.
Ky i fundit prej kohësh vuante nga probleme me shëndetin, të cilat duket se këtë herë s’i kapërceu dot, ndërsa prej rreth një muaji ishte në reanimacion në një spital privat në Tiranë.
Por cili ishte profili i ish-liderit historik socialist?
Fatos Nano lindi më 16 shtator të vitit 1952 në Tiranë, ndërsa ka qenë themeluesi i parë dhe kryetari i Partisë Socialiste që nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005.
Ish-kryeministri mbaroi gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, ndërsa kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë). Në vitin 1975 kreu specializimet për Ekonomi Politike.
Ai e nisi karrierën e tij politike në vitin 1991, pasi u zgjodh kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri.
Zgjedhjet e 31 marsit 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të japë dorëheqjen. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos, pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë postkomuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte shkak i opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.
Ai u rikthye në detyrë në vitin 1997, ndërsa u detyrua sërish të japë dorëheqjen pas revoltës popullore. Në vitin 1999 Nano u gjykua i pafajshëm nga një gjykatë në Tiranë ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet në qershor 2001. Nano u bë kryeministër për të tretën herë në korrik 2002, i emëruar nga presidenti Alfred Moisiu. Më 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. Më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste, ndërsa u pasua nga Edi Rama.
Si deputet i Parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës.
/vizionplus.tv

