Ndërkohë që të gjithë presin ditën e premte për të mësuar rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kryetarin në detyrë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, PS dhe PD vijojnë fushatën në terren.
I ftuar në studion e Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ish-kandidati i PD, Grigels Muçollari, tha se Florian Binaj është figura që bashkon opozitën, por merr edhe votat e qytetarëve asnjanës.
Por për gazetarin Denis Minga, shkuarja në zgjedhje me dy kandidatë pa ambicie të larta politike ishte vendim i Ramës dhe Berishës.
Pjesë nga biseda:
Muçollari: Bashkimi i opozitës së vetme në një kauzë të vetme i shërben shoqërisë. Këtë radhë më pëlqeu dhe kam qenë shumë më herët i mendimit që drejt këtij kandidati duhet të shkonim, që bashkonte gjithë opozitën. Po të shohim, copëzimi i opozitës ka sjellë këtë situatë.
Minga: Ky model ndryshon nga modeli Basha–Rama. Për mua, kanë vendosur Rama dhe Berisha që këtë herë të jetë kështu. Nuk është Ogerta Manastirliu në ambiciet e Veliajt, i cili kishte ambicie të ishte në krye të PS-së. Rama dhe Berisha lanë modelin politik dhe kaluan te modeli tjetër.

