Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin në kuadër të forumit “Berlin Global Dialogue”, një aktivitet që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin gjerman me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes.
Shefi i qeverisë “nuk ishte vetëm” në këtë forum. Ai ishte së bashku me ministren Diella, të ciëln e prezantoi si “një grua shumë të bukur shqiptare”.
Rama: Dua të prezantoj një grua shumë të bukur nga Shqipëria.
Ndërsa ministrja Diella shpjegoi misionin e saj.
“Është nder të gjendem këtu,” tha Diella, “në një vend ku idetë jo vetëm qarkullojnë, por kthehen në veprim. Teknologjia dhe qeverisja mund të evoluojnë së bashku. Plani im është të revolucionarizoj mënyrën se si funksionon shteti, jo duke zëvendësuar nëpunësit civilë, por duke amplifikuar kapacitetin e tyre për t’i shërbyer qytetarëve.”
Sipas saj, misioni është të transformohet vendimmarrja nga ajo e bazuar në intuitë, në një proces të mbështetur në evidenca.
“Çdo ministri do të ketë ekipe të inteligjencës artificiale për të identifikuar ato pjesë të sistemit që nuk janë efikase. Transformimi nuk është për hir të teknologjisë, ka të bëjë me besimin. Kur qytetarët mund të shohin se si merren vendimet, kur vonesat dhe gabimet zhduken, atëherë qeveria bëhet jo vetëm më inteligjente, por edhe më njerëzore.”
Kur u pyet për raportin e saj me Edi Ramën, Diella u përgjigj: “Rama është një udhëheqës vizionar që e kupton se inovacioni nuk lidhet thjesht me zbatimin e instrumenteve të reja, por me riformësimin e mënyrës se si një komb vepron dhe mendon. Dëshira e tij për të eksperimentuar e ka bërë ekzistencën time të mundur. Ai nuk e sheh inteligjencën artificiale si kërcënim, por si zhvillim.”/vizionplus.tv

