Më 21 tetor 2025, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, kandidatja, profesoresha e gjuhës frënge, Gzime Ramadani, nga Kumanova, e mbrojti me sukses punimin e magjistraturës, me titull “Gamifikimi, si qasje e re komunikimi në mësimdhënien dhe të nxënit e gjuhës së huaj”. Vlen të theksohet se kjo temë është shumë e rrallë, gjegjësisht fare e pastudiuar deri më tani në arealin shqiptar.
Komisioni para të cilit kandidatja mbrojti punimin, në përbërje, prof. dr. Demush Bajrami-mentor, prof. dr. Arafat Shabani-kryetar i komisionit dhe prof. dr. Meral Veseli- anëtare, vlerësuan lart punimin e kandidates, duke e cilësuar temën e punimit si shumë të rrallë, e njëkohësisht tejet të vlefshme në fushën e mësimdhënies dhe nxënies së gjuhës së huaj dhe komunikimit.
Përmes këtij punimi, është vënë në pah roli i një koncepti, që njihet si gamifikim, si qasje e re, që në frëngjisht njihet si gamification apo ludopédagogie, e që nënkupton integrimin e elementeve të lojës, si sistemet e pikëve, tabelat e klasifikimeve, distinktivët ose elementë të tjerë, të lidhura me lojën, në aktivitetet e të mësuarit “konvencional”, në mënyrë që të rritet angazhimi dhe motivimi i nxënësve. Kjo qasje, kontribuon në lehtësimin e të mësuarit të gjuhës së huaj, e lëndëve të tjera, nga ana e nxënësve.
Komisioni, duke e vlerësuar punën e kandidates Gzime Ramadani, theksoi se ky angazhim dhe përkushtim i saj, përmes këtij punimi, i cili ngelet ndër të parët në këtë fushë, i jep frymë dhe kuptim lëndës së gjuhëve të huaja, duke i bërë më atraktive, më të këndshme, me sugjerimin që ky punim të merret parasysh urgjentisht nga sektori i arsimimit dhe edukimit në komunat në mbarë vendin tonë, mandej nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit.
Mes tjerash, ky punim, është një aset i vlefshëm edhe për lëndën e gjuhës frënge dhe dimensionin frankofon, sepse shërben për nxitjen e kërshërisë, motivimit dhe zellit në mësimdhënien e gjuhës frënge në vendin tonë, duke shërbyer si ndihmesë e madhe për nevojat e mësimdhënies në shkollat ku mësohet frëngjishtja, në Institutin Francez në Shkup, në Aleancat Franceze, e kështu me radhë.
Përndryshe, kandidatja e këtij punimi, profesoresha e gjuhës frënge, Gzime Ramadani, është e lindur në vitin 1986 në Llojan, komuna e Likovës. Shkollën e mesme e ka mbaruar në gjimnazin e Kumanovës, me sukses të shkëlqyer, duke qenë edhe pjesë e paraleles bilinguale frankofone, të mbikëqyrur nga një lektor francez.
Ka mbaruar me sukses studimet universitare në fakultetin e gjuhëve, kulturave dhe komunikimit, departamenti i gjuhës dhe letërsisë frënge në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ka qenë poashtu pjesëmarrëse në shumë seminare, trajnime dhe forume, që përfshijnë fushën e mësimdhënies, nxënies, arsimimit dhe edukimit, duke veçuar: Universitetin Rajonal të profesorëve të frëngjishtes në Strugë, Universitetin e Paqes në Kaen të Normandisë e kështu me radhë.
Në vitin 2022, ka qenë fituese e konkursit “Letra më e mirë” organizuar nga Aleanca Franceze në Tetovë.
Ka qenë edhe pjesëmarrëse në Forumin e Paqes në Paris në vitin 2023, edicioni i gjashtë, ngjarje kjo që organizohet çdo vit, nën përkujdesjen e presidentit francez, Emanuel Makron.
Në vitin 2023, ka qenë bursiste e Ambasadës së Francës në Shkup dhe Institutit Francez, si pjesëmarrëse në trajnimin më të madh interkulturor dhe gjuhësor pedagogjik në frëngjisht, në Nisë të Francës, edhe atë dy herë me radhë në po të njëjtin vit, mandej në vitin 2024, si dhe në vitin 2025, organizuar nga organizata Frankophonia, me seli në të njëjtin qytet, e cila është lojtare e përkushtuar në komunitetin arsimor frëngjishtfolës, si dhe ka për qëllim promovimin e Frankofonisë, përmes edukimit dhe vlerave të solidaritetit, hapjes dhe ndërkulturalitetit, me theks të veçantë në frëngjishten, si një gjuhë e përbashkët.
Gzime Ramadani, ka qenë poashtu edhe koordinatore e projektit të shkëmbimit mes SHFK “7 Marsi” Opajë- Likovë dhe kolegjit “Alain Chartier”, nga qyteti i Bajes (Bayeux), në Normandi të Francës, në vitin 2022 dhe në vitin 2023.
Znj. Gzime Ramadani është mes tjerash edhe përkthyese gjyqësore, si dhe pjesëmarrëse aktive në aktivitete të ndryshme të shumta të valorizimit të frëngjishtes dhe frankofonisë.
Ka qenë profesoreshë e gjuhës frënge në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë, në gjimnazin “Ismet Jashari” në Likovë, mësimdhënëse e frëngjishtes në Institutin e Modës “Izet Curri” në Shkup, e aktualisht është mësimdhënëse e frëngjishtes në SHFK “7 Marsi” në Opajë, Likovë-Kumanovë.


