Një kabllo defektoze ishte shkaku kryesor i aksidentit tragjik me tramvajin historik “Glória” në Lisbonë, ku humbën jetën 16 persona dhe u plagosën rreth 20 të tjerë – shumica turistë. Kështu konfirmon raporti paraprak i Zyrës për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore të Portugalisë (GPIAAF), i publikuar të hënën.
Aksidenti ndodhi më 3 shtator, kur tramvaji doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë në një nga rrugicat e pjerrëta të qytetit, duke tronditur opinionin publik në Portugali dhe përtej. Tramvaji i ndërtuar në shekullin XIX është një ndër atraksionet më të njohura turistike të Lisbonës.
Sipas GPIAAF, një kabllo që lidhte dy vagonët e tramvajit ishte jashtë standardeve teknike të kompanisë së transportit urban të qytetit (CCFL) dhe u shkëput pak para përplasjes. “Kablloja nuk ishte në përputhje me specifikimet e kërkuara për linjën Glória”, thuhet në raportin 35-faqësh.
Inspektimi rutinë i mëngjesit të ngjarjes nuk kishte konstatuar asnjë defekt, por disa orë më vonë kablloja cedoi. Hetuesit konfirmojnë se drejtuesi i tramvajit kishte aktivizuar sistemin e frenimit, por ai nuk ishte i mjaftueshëm për të ndalur vagonin në kohë. I gjithë incidenti ndodhi brenda 50 sekondash.
Ndër viktimat, 11 ishin shtetas të huaj – mes tyre tre britanikë, dy koreanë, dy kanadezë, një franceze, një zvicerane, një amerikane dhe një ukrainase. Katër prej viktimave ishin punonjës të një institucioni social vendas, zyrat e të cilit ndodheshin pranë vendngjarjes.
Pas aksidentit, të gjitha linjat e ngjashme të tramvajeve janë pezulluar në Lisbonë, deri në verifikimin e plotë të sigurisë së tyre. GPIAAF kërkon që tramvajet të mos rikthehen në punë derisa të sigurohen sistemet e frenimit për raste emergjente, si këputja e kabllove.
Raporti përfundimtar i hetimit pritet të publikohet brenda vitit të ardhshëm, por një raport i ndërmjetëm me masa të përkohshme mund të dalë më herët.
/vizionplus.tv

