Një studimi të ri ka konfirmuar se një analizë gjaku mund të zbulojë më shumë se 50 lloje kanceri. Rezultatet e një prove në Amerikën e Veriut tregojnë se testi mundi të identifikonte një gamë të gjerë kanceresh, nga të cilat tre të katërtat nuk kanë asnjë formë të programit të shqyrtimit.
Më shumë se gjysma e kancereve u zbuluan në një fazë të hershme, ku ato janë më të lehta për t’u trajtuar dhe potencialisht të shërueshme, shkruan BBC.
Testi Galleri, i prodhuar nga firma farmaceutike amerikane Grail, mund të zbulojë fragmente të ADN-së kanceroze që janë shkëputur nga një tumor dhe qarkullojnë në gjak.
Në studim u përfshinë 25,000 të rritur nga SHBA-ja dhe Kanadaja gjatë një viti, shkruan A2 CNN. Pothuajse një në 100 prej atyre që u testuan pati një rezultat pozitiv dhe në 62% të këtyre rasteve kanceri u konfirmua më vonë.
Testi përjashtoi saktë kancerin në mbi 99% të atyre që rezultuan negativë. Kur u kombinua me shqyrtimin e gjirit, zorrëve dhe qafës së mitrës, ai rriti numrin e kancereve të zbuluara në përgjithësi shtatëfish.
Çështja kryesore është se tre të katërtat e kancereve të zbuluara ishin ato që nuk kishin program shqyrtimi, siç janë kanceri i vezoreve, i mëlçisë, i stomakut, i fshikëzës dhe i pankreasit. Por analiza e gjakut identifikoi saktë origjinën e kancerit në nëntë nga 10 raste.

