Aleanca Kombëtare për Integrim ka reaguar ashpër ndaj kandidatit të VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, duke e akuzuar për keqpërdorim të detyrës shtetërore dhe shkelje të barazisë zgjedhore. Në një konferencë për media, Bujar Sopa, përfaqësues i AKI-së, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Mexhitit nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekologjisë, duke theksuar se ai po përzien funksionin publik me interesin e tij elektoral.
“Qytetarët e Çairit dhe gjithë opinioni publik e shohin çdo ditë se Mexhiti flet njëherë si kandidat, njëherë si ministër dhe njëherë si zëvendëskryeministër ‘ duke përzier funksionet shtetërore me interesin e tij personal elektoral. Kjo është shkelje flagrante e ligjeve dhe e Deklaratës për një fushatë të ndershme dhe cenim i barazisë mes kandidatëve”, tha Sopa.
AKI e konsideron të papranueshme që një kandidat të mbajë ende post qeveritar gjatë fushatës.
“Nuk ka fushatë të ndershme kur një kandidat mban edhe post qeveritar. Nëse ke guxim dhe respekt për qytetarët, dorëhiqu menjëherë dhe dil ballë për ballë me Bujar Osmanin si kandidat i zakonshëm, jo si ministër që ka në dorë të gjitha resurset e shtetit”, u shpreh Sopa.
Sipas AKI-së, pas 20 vjetësh pushtet në Çair dhe funksione në qeveri, dorëheqja është minimumi i moralit politik që Mexhiti duhet të tregojë para qytetarëve.
“Nëse nuk e bën sot, më 19 tetor qytetarët do ta bëjnë për ty!”, thanë në nga Aleanca Kombëtare për Integrim.
Në reagimin e saj, AKI ka akuzuar Mexhitin se për dy dekada e ka përdorur Çairin si trampolinë personale dhe familjare, duke e lënë komunën në kaos urbanistik, në mjerim social dhe në mungesë të planeve zhvillimore.
“Pas 19 tetorit, për Mexhitin nuk mbaron vetëm karriera politike – fillon edhe llogaridhënia. Ai do të duhet të përgjigjet para qytetarëve dhe para institucioneve për secilin vendim, për secilën aferë dhe për çdo keqpërdorim të pushtetit komunal e qendror që ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe”, theksoi më tej Sopa
Aleanca Kombëtare për Integrim ka bërë thirrje qytetarëve të dalin masivisht në zgjedhjet e 19 tetorit dhe t’i thonë “JO” politikës së mashtrimit dhe keqpërdorimit dhe “PO” zhvillimit dhe investimeve.
“19 tetori është dita e drejtësisë dhe e ndryshimit. Çairi ka nevojë për një administratë që u shërben qytetarëve, jo individëve”.

