“Tentimi i krijimit të kombit modern maqedonas dhe gjuhës së re moderne maqedonase, konfirmon se nuk është problem ndryshimi i Kushtetutës, por identiteti dhe gjuha”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar votimin e djeshëm në Komitetin për punë të jashtme në Parlamentin Europian.
Dje, dështoi përpjekja e eurodeputetëve bullgarë për të futur amendament që do t’i shtonte fjalën “modern” fjalëve “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” në Raportin e Progresit të Maqedonisë.
“Nuk e shoh këtë si fitore, por si zhgënjim”, tha kryeministri Mickoski në një intervistë për MRT.
“Pse? Sepse në shekullin e 21-të, në Evropë, pamë përpjekje për të krijuar një komb dhe identitet artificial. Sepse ai amendament që u propozua është de facto përpjekje për të krijuar komb të ri modern maqedonas, ose gjuhë të re moderne maqedonase, e cila në vetvete është një precedent. Si qenie njerëzore dhe si maqedonas, jam i zhgënjyer. Nuk e shoh këtë si sukses, por si diçka që për ne përfaqësonte një pengesë që e kemi kapërcyer”, u përgjigj Mickoski.

