Reagim i këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në Këshillin Komunal të Kumanovës- Kumanova ka nevojë për standarde, jo për klientelizëm dhe kaos të planifikuar
“Ne, këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Këshillin Komunal të Kumanovës, shprehim shqetësimin tonë të thellë për mënyrën se si po menaxhohet hapësira publike në qytetin tonë. Kumanova ka nevojë për një politikë urbane gjithëpërfshirëse, të bazuar në standarde, planifikim dhe transparencë – jo për klientelizëm dhe anarki urbane.
Prej kohësh kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë të kërkojmë llogari nga administrata lokale për çdo vendim që cënon interesin publik, mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen urbane të qytetit tonë.
Kumanova pa standarde – kioskat si simbol i kaosit urban
Dikur, rruga “11 Nëntori” në Kumanovë ishte një hapësirë ku qytetarët shqiptarë ushtronin veprimtari ekonomike përmes kioskave të vogla. Ato u hoqën me arsyetimin se do të ndërtohej një Kumanovë moderne, pa objekte të përkohshme që pengonin qarkullimin dhe zhvillimin urban.
Por sot përballemi me një realitet krejt ndryshe: kioska të reja, të vendosura në mënyrë kaotike, pa asnjë standard estetik apo funksional, po mbijnë në pjesë të ndryshme të qytetit. Rasti më i fundit është vendosja e një kioske përballë xhamisë – në një zonë ku shumë qytetarë zhvillojnë veprimtari ekonomike për mbijetesë, vendim që ka hasur në kundërshtim të hapur nga banorët për shkak të mungesës së hapësirës dhe pengesës që i bëhet qarkullimit të lirë.
Në vend që të lirohen hapësirat publike dhe të krijohen kushte më të mira për këmbësorët dhe qytetarët, shohim uzurpim të rrugëve me struktura të cilat nuk sjellin as zhvillim, as rregull.
Kumanova po vuan nga mungesa e një vizioni urban dhe nga një administratë e udhëhequr nga kryetari Maksim Dimitrievski, i cili, në vend të barazisë dhe standardeve në zhvillimin qytetar, po ndjek një qasje selektive dhe të paqartë në menaxhimin e hapësirave publike.
Qyteti ynë nuk mund të ecë përpara duke vendosur kioskë mbi kioskë, pa plan urbanistik, pa transparencë dhe pa përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Kumanova meriton më shumë – meriton standarde, planifikim dhe drejtësi urbane.”

