Sot nga ora 12:00 deri në ora 16:00 në Shkup është kryer kontroll i komunikacionit në kuadër të aksionit operativ “Komunikacioni i sigurt”, me fokus drejtuesit e motoçikletave dhe biçikletave. Siç njofton MPB-ja, janë kontrolluar 1020 automjete dhe janë marrë masa ndaj 247 pjesëmarrësve në trafik
“Një person është privuar nga liria për drejtim mjeti në pakujdesi nga neni 297a i Kodit Penal. 53 drejtues mjetesh janë sanksionuar për drejtim mjeti me shpejtësi më të madhe se norma e lejuar dhe 33 janë gjobitur për drejtim mjeti pa patentë shofer. Janë shqiptuar 10 masa për automjete të paregjistruara, 62 shoferë janë sanksionuar për drejtim të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse, 18 masa janë shqiptuar për drejtuesit e automjeteve të kategorisë së papërshtatshme, pesë drejtues mjetesh kanë drejtuar automjete pa patentë shofer, si dhe janë sanksionuar 66 pjesëmarrës të tjerë në trafik”, njofton MPB.
Poashtu, janë sekuestruar tre automjete të paregjistruara, dy prej të cilave motoçikleta dhe një automjet pasagjerësh. Dy automjete – një motoçikletë dhe një automjet pasagjerësh – janë sekuestruar përkohësisht për shkak të dyshimit për paaftësi teknike.
“Kontrollet e veprimit në kuadër të aksionit operacional do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim me intensitet të shtuar. Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë për rrugë më të sigurta”, njofton MPB, transmeton gazeta Koha.

