Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Norvegji, Driton Kuçi, ka reaguar publikisht pasi është njoftuar nga familjarët se përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë në shtëpinë e tij në Shkup, duke kërkuar një takim informativ.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kuçi theksoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se gjithmonë ka vepruar me ndershmëri, qetësi dhe transparencë, pavarësisht vështirësive. Ai paralajmëroi se me fluturimin e parë do të kthehet në Shkup, për të konfirmuar përkushtimin e tij ndaj drejtësisë dhe ligjit.
Më poshtë reagimi i plotë i ambasadorit Driton Kuçi:
“🛑 Sot familja më informoi se përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë në shtëpinë time në Shkup, duke kërkuar një takim informativ.
Nuk kam asgjë për të fshehur dhe gjithmonë kam zgjedhur të veproj me ndershmëri dhe qetësi, edhe kur rrethanat kanë qenë të vështira.
Kam zgjedhur gjithmonë të ec drejt, edhe kur rruga ka qenë më e vështirë. Kam folur kur të tjerët kanë heshtur, dhe kam qëndruar në këmbë edhe kur jam ndjerë i vetëm.
Besoj në drejtësi për të mirën e përbashkët. Me fluturimin e parë do të jem në Shkup, jo për të sqaruar, por për të konfirmuar se transparenca dhe besimi janë rruga e vetme përpara.
Jam këtu. Me ndërgjegje të qetë, i pastër dhe vullnet të palëkundur, para Zotit dhe ligjeve të vendit!/ Televizioni News
#Koçani”

