“Shqiptarët direkt e shkatërrojnë NATO-n”, “Shqiptarizim i dhunshëm i Maqedonisë qendrore në bashkëpunim me shërbyes maqedonas” “Shovinizmi etnik shqiptar është ndërtuar mbi një mit të rrejshëm për ndonjë prejardhje autoktone ilire të Shqiptarëve dhe ndonjë fitore të vitit 2001”…. janë vetëm disa nga statuset e shumta të Bogojevskit ku ai shpreh urrejtje ndaj shqiptarëve. Nga kjo lind pyetja se si do të menaxhojë një person me një fjalor të tillë një agjenci që zbaton programin Erasmus+, një simbol i integrimit evropian, shkëmbimit ndërkulturor dhe respektit për diversitetin?
Ersan PAJAZITI
Shkup, 10 prill – Kryetari i partisë “Koncepti Maqedonas” Petar Bogojevski është emëruar drejtor në Agjencinë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet. Mirëpo, zgjedhja e tij në krye të kësaj Agjencie, ku mes tjerash ka për detyrë të menaxhojë me fondet e Erazmus+ po përcillet me mjaft shqetësim për shkak të ideologjisë së tij, gjegjësisht bagazhit dhe retorikës fyese dhe ofenduese që e ka Bogojevski ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe nga ai, e sidomos me urrejtjen ndaj shqiptarëve. Në vend të vizionit, idealeve dhe përkushtimit ndaj rinisë, mesazhet e tij publike në rrjetet sociale flasin për diçka krejt tjetër: një qëndrim vulgar, agresiv dhe poshtërues ndaj bashkëqytetarëve.
“Një pyetje për Shiptarët (shiptarite), pse nuk votoni për njerëz të qytetit, njerëz të shkolluar, njerëz me përvojë me të kaluar të dëshmuar, njerëz esnafi… ju keni shqiptarë (shiptari) të tillë”, shkruan ai. Muri i tij i Facebookut është i mbushur me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve.
“Shqiptarët direkt e shkatërrojnë NATO-n”, “Shqiptarizim i dhunshëm i Maqedonisë qendrore në bashkëpunim me shërbyes maqedonas” “Shovinizmi etnik shqiptar është ndërtuar mbi një mit të rrejshëm për ndonjë prejardhje autoktone ilire të Shqiptarëve dhe ndonjë fitore të vitit 2001”. Këto janë vetëm disa nga statuset e shumta të Bogojevskit ku ai shpreh urrejtje dhe fyerje ndaj shqiptarëve. Nga kjo lind pyetja se si do të menaxhojë një person me një fjalor të tillë një agjenci që zbaton programin Erasmus+, një simbol i integrimit evropian, shkëmbimit ndërkulturor dhe respektit për diversitetin? Si do ta përfaqësojë vendin përpara partnerëve të tij evropianë kur me fjalët e tij degradon vetë publikun që supozohet t’i shërbejë?
Bogojevski nuk shkruan komente fyese vetëm ndaj shqiptarëve, por muri i tij në Facebook është i mbushur me ofendime nga më të ulëtat edhe ndaj rivalëve të tij politik dhe ndaj sektorit civil. Në një nga komentet e tij në Facebook, Bogojeski i drejtohet një gruaje me fjalët: “e arratisur” dhe “e sëmurë”, ndërsa në një koment tjetër e pyet bashkëbiseduesin “a jep b*thë për darkë?”. Disa nga komentet i referohen edhe marshimeve që u organizuan në mbështetje të familjeve nga Koçani që humbën më të dashurit e tyre në zjarrin në diskotekën “Pulse” dhe të cilët kërkuan rifillimin e plotë të sistemit shtetëror sepse askush më askund nuk ndihet plotësisht i sigurt. Një qytetar i thotë se ndryshe sillet në pushtet dhe ndryshe në opozitë, prandaj ndoshta është kundër rritjes së pagës minimale, për të cilën Bogojeski i përgjigjet se ai është “një m*t analfabet”.
BDI: FYERJET NDAJ SHQIPTARËVE SHPËRBLEHEN
Emërimin e Bogojevskit për drejtor në Agjencinë për Fondet Arsimore Evropiane e ka dënuar ashpër BDI. Nga kjo parti theksojnë se Bogojevski nuk gëzon reputacion dhe kredibilitet moral për të udhëhequr me një institucion që ka për qëllim t’i afrojë të rinjtë me vlerat evropiane, e jo t’i ofendojë dhe t’i poshtërojë ata.
“Emërimi i një personi i cili tërë karrierën e tij publike dhe politike e ka ndërtuar mbi fyerje dhe nënçmime ndaj shqiptarëve, paraqet një provokim të drejtpërdrejtë jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për vetë idenë evropiane në vend. Veçanërisht ironike dhe tragjike është që ky individ ka qenë objekt i kallëzimeve penale pikërisht nga partitë e vLEN-it në Qeveri – dhe sot, me mbështetjen e tyre, shpërblehet me një funksion udhëheqës”, theksojnë nga BDI.
Nga partia e Ali Ahmetit vlerësojnë se ky akt është një sinjal i qartë se fyerjet ndaj shqiptarëve jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe shpërblehen me pozita shtetërore. “Ky është një mesazh i rrezikshëm se kushdo që dëshiron të ndërtojë karrierë politike, mjafton ta poshtërojë popullin shqiptar. Për më tepër, besimi për të menaxhuar fondet evropiane i jepet një personi që jo vetëm ka bërë deklarata fyese ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj vetë Bashkimit Evropian dhe vlerave të tij, me çka përbën një fyerje për partnerët evropianë dhe për taksapaguesit e BE-së që financojnë këto programe”,theksojnë nga BDI. Integristët bëjnë thirrje që të tërhiqet urgjentisht vendimi siç thonë i turpshëm për emërimin e Bogojevskit dhe në këtë mënyrë të rikthehet serioziteti në proceset që kanë të bëjnë me integrimin evropian, arsimin dhe bashkëjetesën. Nga BDI thonë se qeveria nuk guxon të lejojë që shteti të shndërrohet në një skenë për provokime të lira, në dëm të bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane.
BOGOJEVSKI: E PRANOJË DETYRËN ME VETËDIJE DHE PËRGJEGJËSI
Përndryshe, Petar Bogojeski pas marrjes së detyrës së drejtorit në Agjencinë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet theksoi se këtë sfidë e ka pranuar me shumë vetëdije dhe përgjegjësi për shkak të kompleksitetit dhe seriozitetit të detyrave që dalin nga sektori i arsimit, veçanërisht në kuadër të programeve arsimore evropiane.
“Dorëzimi zyrtar i detyrimeve brenda BE-së, në prani të përfaqësuesve të Komisionit Evropian, do të bëhet më 15 maj 2025 në Varshavë të Polonisë. Në përputhje me angazhimet e reja profesionale, pozitat e mia si profesor në Akademinë Ushtarake në Shkup dhe në Universitetin e Kombeve të Bashkuara për Paqe do të pezullohen përkohësisht, megjithëse do të vazhdoj të marr pjesë aktive në procesin mësimor dhe të punoj me studentët”, ka shkruar Bogojeski.
Petar Bogojevski është kryetarë i partisë politike “Koncepti Maqedonas”, e cila në zgjedhjet e fundit ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Paraprakisht, Bogojevski ka qenë pjesë e VMRO-DPMNE-së, ku ka ushtruar edhe funksionin e zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, nga i cili funksion u shkarkua në vitin 2018. Në atë kohë Bogojevski ishte edhe një nga nismëtarët e reformave në parti.
CILAT JANË KOMPETENCAT E KËSAJ AGJENCIE?
Një nga kompetencat më të rëndësishme të Agjencisë është të kontribuojë në zhvillimin e të mësuarit cilësor gjatë gjithë jetës dhe të promovojë inovacionin, dimensionin evropian dhe përsosmërinë në sisteme dhe praktika në fushën e arsimit dhe trajnimit, të ndihmon në përmirësimin e cilësisë, atraktivitetit dhe qasjes të mundësive të të mësuarit gjatë gjithë jetës për vendet pjesëmarrëse në programe, rrit kohezionin social, qytetarinë aktive, dialogun ndërkulturor, barazinë gjinore dhe përmbushjen personale duke mbështetur mësimin gjatë gjithë jetës.
Kjo Agjenci mes tjerash ka për detyrë të mbështet zhvillimin e kreativitetit, konkurrencës dhe shpirtit sipërmarrës, si dhe përmirësimin e punësimit, të promovon mësimin e gjuhës dhe diversitetin gjuhësor. Kjo Agjenci gjithashtu ka për synim të inkurajon bashkëpunimin ndërmjet të gjithë sektorëve të arsimit dhe trajnimit në Evropë për sigurimin e cilësisë, si dhe të inkurajon përdorimin e rezultateve dhe proceseve novatore, shkëmbimin e praktikave funksionale dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit dhe trajnimit. (koha.mk)

