Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm të marrë përgjegjësitë për krijimin e institucioneve të reja nëse partia e parë nuk arrin ta formojë Qeverinë.
Në një konferencë për media, Hamza theksoi nevojën urgjente për institucione funksionale, duke kritikuar zvarritjen e procesit pas zgjedhjeve.
“Jemi në një fazë ku vendi duhet t’i ketë institucionet. Partia e parë të provojë në kohë konstituimin e Kuvendit dhe Qeverinë. Kosova ka nevojë për institucione”, ka theksuar Hamza.
Hamza, i cili dje dha dorëheqje nga pozita e deputetit, por vijon të jetë kryetar i Mitrovicës, tha se nuk dëshiron që komuna të shkojë në zgjedhje të reja.
Ai konfirmoi mbështetjen e PDK-së për të diskutuar me partitë e tjera nëse vjen radha e tyre për të formuar qeverinë.
“Nëse partia e parë nuk e bën, unë jam i gatshëm si kandidat për Kryeministër t’i marr përgjegjësitë. Dje dhashë dorëheqje nga pozita si deputet, unë jam kryetar i Mitrovicës, do të ishte e padrejtë të shkoj Komuna në zgjedhje…”, ka shtuar Hamza
“Po jemi në biseda, asnjë barrierë për asnjë politikanë a parti nuk ekziston… Jemi në bisedime me LDK, AAK-Nismën dhe partitë tjera. Nuk kemi mbërri të faza e diskutimeve për poste. Renditja është e qartë, PDK i ka 24 deputetë, në tavolinë s’kemi pas kërkesë së si do të duket Qeveria…”, ka thënë ndër të tjera Hamza.
Sa i përket negociatave për krijimin e Qeverisë, ai tha se ka arritur përparim me disa parti, por ende nuk ka një formulë të dakorduar me LDK-në.
“Sa i përket takimeve me disa parti jemi në rregull, mundemi me ardhë te formula për komponimin e Qeverisë. Ndërsa me LDK ende nuk kemi arritë të formula për formimin e Qeverisë…”, ka potencuar Hamza.
“Me VV nuk kemi kurrfarë komunikimi zyrtar, s’kemi pranu e dërgu ftesë. Për shkak të bindjeve, koncepteve, për mua është e preferushme Qeveria me LDK dhe partitë tjera…”
Hamza gjithashtu theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentes është i ndarë nga formimi i Qeverisë dhe nuk mund të jetë pengesë për krijimin e institucioneve.
“…. Sa i përket Presidentes jam i bindur që është proces i ndarë. Asnjëherë në Kosovë vendi nuk ka shku për shkak të Presidentit”, ka thënë Hamza.

