Shtatë parti të vogla, të cilat në zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoninë e Veriut garuan për rreth 200 vende këshilltarësh në 15 komuna, kryesisht të vogla – si Konçe ose Debërcë, nuk fituan asnjë mandat, por pavarësisht kësaj siguruan financim nga shteti për katër vitet e ardhshme. Për ta realizuar këtë atyre u duheshin shumë pak vota, për shembull 37 vota në Konçe, të cilat sipas përllogaritjeve të BIRN, sigurojnë një të ardhur vjetore prej rreth 80 mijë eurosh, transmeton Portalb.mk.
Një fakt interesant në lidhje me këto zgjedhje është se të 33 partitë dhe koalicionet që morën pjesë në to arritën ta kalonin pragun ligjor prej të paktën një përqind të votave të fituara, duke siguruar kështu të drejtën për financim shtetëror.
Ministria e Drejtësisë ende është duke i bërë përllogaritjet përfundimtare për shpërndarjen e fondeve shtetërore për partitë politike, të cilat këtë vit do ta tejkalojnë shumën rekord prej nëntë milionë eurosh. Nga kjo shumë 70 përqind shpërndahet sipas numrit të deputetëve dhe këshilltarëve të fituar, ndërsa 30 përqindëshi i mbetur ndahet në mënyrë lineare midis të gjitha partive dhe koalicioneve që fituan të paktën një përqind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare ose lokale.
Në këtë mënyrë edhe partitë e vogla, të cilat nuk janë shumë aktive në skenën politike, duke fituar një numër shumë të vogël votash hyjnë në sistemin e financimit shtetëror.
BIRN tashmë ka shkruar për këtë praktikë, e cila ishte e pranishme edhe në zgjedhjet e fundit lokale.
Në koalicion dhe jashtë tij
Një shembull ilustrativ është partia e re “Koncepti Maqedonas”, e cila në Debërcë me 149 vota e kaloi pragun prej një përqind, duke fituar kështu për herë të parë të drejtën për të marrë fonde shtetërore. E themeluar nga ish-anëtari dhe pjesë e grupit reformist në VMRO-DPMNE, Petar Bogojevski, në zgjedhjet lokale hyri në koalicion me VMRO-DPMNE-në, me përjashtim të kësaj komune të vogël ku garoi me listën e vet të këshilltarëve dhe kërkoi mbështetjen e votuesve me një program me pesë pika për zhvillimin e “Debërcës së Lavdishme”.
Votat e fituara nuk i siguruan partisë një vend në këshill, por ishin më se të mjaftueshme për ta kaluar pragun ligjor të votave të fituara. Në Debërcë ka pak më pak se 4.000 votues të regjistruar, pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 65 përqind, kështu që e drejta për financim shtetëror mund të fitohej me vetëm 26 vota.
Në një mënyrë të ngjashme para për partinë siguroi edhe “Lidhja Demokratike” e Pavle Trajanovit. Në zgjedhje ajo hyri në koalicion me VMRO-DPMNE-në, por në Konçe garoi me një listë të pavarur për këshilltarë, për të cilën mblodhi 164 vota. Me këto vota ajo jo vetëm që e kaloi pragun zgjedhor, por siguroi edhe një vend në këshill, gjë që sjell edhe para shtesë në buxhetin e partisë. Identik është edhe shembulli i partisë PODEM të udhëhequr nga Zhivko Jankullovski, me ndryshimin e vetëm që lista e tyre e këshilltarëve ishte në Rosoman.
Shembuj të tillë ka edhe midis partnerëve të koalicionit të LSDM-së. Partia “E Djathta”, deri para disa vitesh e njohur si “PEP 21”, e udhëhequr nga Biljana Jovanovska, listën e vet kishte vetëm në Aerodrom. 444 votat e fituara nuk ishin të mjaftueshme për të siguruar një këshilltar, por ato siguruan fonde shtetërore jashtë koalicionit, shumë herë më të mëdha se ato që kjo parti i ka marrë nga buxheti i shtetit në dekadën e kaluar.
Shumë para – rezultat i njëjtë
Për të punuar partitë kanë nevojë për para, ndërsa qëllimi i financimit shtetëror është që ta zvogëlojë varësinë e tyre nga donatorët e mëdhenj privatë, por edhe të sigurojë konkurrencë të drejtë politike. Ky është edhe arsyetimi në Maqedoni, ku partitë më të vogla nuk kanë shumë donatorë, ndërsa edhe kur i kanë, paratë zakonisht vijnë nga udhëheqësit e tyre ose menaxhmenti i lartë. Ato nuk mbledhin shumë para nga tarifat për anëtarësim, kështu që financimi shtetëror është paraja e tyre bazë për punë.
Zgjedhjet lokale janë veçanërisht të rëndësishme për ta, sepse pragu prej një përqind llogaritet bazuar në rezultatet në një komunë individuale, e jo në nivel kombëtar sipas njësisë zgjedhore, kështu që në komunat e vogla është e lehtë të kalohet – mjafton që të votojnë familjarët e atyre që janë në listë.
Prandaj, numri i partive dhe koalicioneve në zgjedhjet lokale është dy herë më i madh sesa në ato parlamentare.
Problemi është sepse partitë kanë funksionuar në këtë mënyrë për vite me radhë, duke organizuar aktivitete vetëm para zgjedhjeve, ndërsa në ndërkohë ato nuk janë aspak aktive, gjë që krijon përshtypjen se për disa prej tyre motivi kryesor për formimin e tyre mund të jetë financimi shtetëror.
Kjo përforcohet nga fakti se vetë partitë nuk kanë ndonjë detyrim të madh në lidhje me shpenzimin e parave shtetërore, përveçse që duhet t’i përdorin ato për aktivitete partiake dhe t’u kushtojnë vëmendje afateve ligjore për dorëzimin e raporteve në institucione në mënyrë që të mos ndërpriten pagesat e tyre.
Disa prej tyre madje e harrojnë këtë detyrim, por shteti u jep atyre mundësinë për korrigjim.
Vjet, në muajin maj, për shembull, Ministria e Drejtësisë ndaloi pagesat për 14 parti sepse nuk i kishin dorëzuar raportet vjetore për punën e tyre. Midis tyre ishte edhe “Era Maqedonase e Treta”, e cila detyrimin ligjor nga i cili varej pagesa prej 80.000 eurosh, e përmbushi pas një paralajmërimi nga Ministria. Partia fitoi të drejtën për financim shtetëror në vitin 2021, kur kaloi pragun zgjedhor në Novaci në zgjedhjet lokale – me vetëm 30 vota.
Të njëjtën gjë e bëri edhe në zgjedhjet e vitit 2025, kur, përveç se në Novaci e kaloi pragun prej një përqind në Prilep, pa siguruar përfaqësuesit e saj në këshillat lokale, gjë që edhe një herë tregoi se financimi shtetëror nuk do të thotë domosdoshmërisht një rezultat më i mirë zgjedhor.
Një histori të ngjashme ka edhe “Rodina”, një parti që mezi e kaloi pragun zgjedhor si në vitin 2021 ashtu edhe në vitin 2025. Në zgjedhjet e fundit ajo pati “fat” në tre komuna. Në Gjevgjeli, fitoi 150 vota, në Sopisht 40 dhe në Konçe 37 vota, duke siguruar kështu para shtetërore për katër vitet e ardhshme.

