“Mos u mërzisni për heqjen e naftës nga skema e subvencioneve, por gëzohuni për rimbursimin me 10%, sepse përfitimi është shumë herë më i lartë.”
Me këtë mesazh, kryeministri Edi Rama shpjegoi me një shembull praktik mënyrën se si do të funksionojë skema e re e mbështetjes për fermerët. Ai ishte në Lushnjë i shoqëruar nga drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, si dhe nga ministrat e kabinetit.
“Jemi kritikuar për këtë skemë dhe është normale që të ketë debat. Por ne nuk do të japim më një mbështetje që është vetëm rreth 300 mijë lekë të vjetra. Përfitimi mund të shkojë deri në 7–8 milionë lekë të vjetra, me kushtin që ai që shet produktin të paraqesë faturën dhe më pas do të marrë 10% të shumës së deklaruar.”
Kreu i qeverisë theksoi se fermerët duhet të bashkohen mes tyre për të përfituar më shumë nga skemat mbështetëse, duke lënë pas aplikimet individuale.
“Vetëm duke u bashkuar përfitojmë rreth 30% më shumë dhe kjo është një llogari e bërë. Ja ku është Dhimitër Kote, një pionier i bashkimit të fermerëve. Nga përvoja e tij kam kuptuar thelbin: secili ka tokën e vet, por kur dalin bashkë në treg krijojnë fuqi negocimi dhe qëndrueshmëri. Kur je vetëm, je si delja që ndahet nga tufa.”
Ndërkohë, drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, solli një shembull konkret nga zona e Lushnjës, ku bashkimi i dy fermerëve ka sjellë më shumë përfitim për aktivitetin e tyre.
“Ndodhemi në Krutje të Lushnjës, në zemër të prodhimit bujqësor. Kemi zgjedhur këtë fermë sepse dy fermerë me eksperiencë kanë vendosur të bashkojnë forcat. Së bashku ata punojnë rreth 5 hektarë tokë dhe kanë përfituar nga skema e mbështetjes, duke zhvilluar më tej aktivitetin e tyre. Këtë vit ata kanë aplikuar edhe për mbrojtjen biologjike të kulturave, ku shteti mbulon deri në 70% të kostos”, tha Belinda Balluku, Drejtuese Politike e Qarkut të Fierit.
Së bashku me skemat e subvencioneve dhe rimbursimin, pjesë e paketës fiskale për bujqësinë është edhe garancia sovrane për fermerët. Përmes kësaj skeme, ata që duan të zgjerojnë ose të dyfishojnë aktivitetin e tyre do të kenë mundësi të marrin kredi me interesa të ulëta, ku një pjesë e interesit mbulohet nga shteti, ndërsa qeveria shërben edhe si garant në rast vështirësish në shlyerjen e kredisë.
/vizionplus.tv

