Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish opozitën gjatë ditës së sotme.
Gjatë mbledhjes në Asamblenë e Lushnjës Rama ironizoi opozitën pas deklaratave se ëhstë bllokuar procesi i integrimit të Shqipërisë.
Rama tha se deklarata e opozitës se është bllokuar procesi i integrimit janë gënjeshtër me 7 bishta.
“Ditën e natën ligjin e bën gënjeshtra, thashethemi dhe sajesa, përveç atyre që ne na kanë dhënë votën dhe mbështetjen në 11 maj, askush tjetër nuk na e fal dhe nuk do t’ia dijë fare për atë fitore që ne morëm në kuptimin e respektit. Do vetëm sherr shamata, thashetheme, baltë, llum e llucë. Ndërkohë që kjo bie edhe mbi ju, se të rrish e të dëgjosh përditë e përnatë vetëm keq dhe vetëm zi sigurisht që diçka ndodh në aspektin e motivimit. U bllokuan negociatat, e humbën trenin për në Evropë, një gënjeshtër me 7 bishta. As nuk është bllokuar asgjë, ndërkohë që e vërteta është se ne po ecim sipas planit. Kemi një plan të dakordësuar me KE, është një kalendar që na e ka vënë ke përpara. Kur e thoja gjatë fushatës e thoshin se gënjeja për të marrë votat, dhe tani thonë mos se u prish kalendari dhe negociatat vazhdojnë. Prapë, edhe për këtë fazë, që do të mbyllet në vijim, kur të mbyllet do të ndodhë si me Bordin e paqes, si me flamurin gjerman dhe siç ka ndodhur gjithmonë. Gënje sa të mundesh e kë të mundesh, mundësisht gënje sa më shumë, gënje orë e cast se diçka do të mbetet se gjë tjetër nuk di të bëjnë. Por ajo që është e rëndësishme është që ne të mos humbasin fokusin për shkak të gjithë këtyre zhurmave dhe sensin e përgjegjësisë historike që kemi për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE “, tha Rama.

