Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ardhmen politike të Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës është tema e cila pritet me mjaft interes nga opinioni publik.
Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese do të shprehet këtë të premte me votë nëse Veliaj mbetet në krye të Bashkisë së Tiranës apo i jepet e drejtë vendimit të qeverisë për shkarkimin, çka automatikisht çon Tiranën në zgjedhje për një kryebashkiak të ri më 9 nëntor, diskutimet kanë “ndezur” studion Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
Gazetari Denis Minga ka pyetur ish-kandidatin demokrat, Grigels Muçollari, se çfarë kuptimi ka për PD nëse Gjykata Kushtetuese do ta lërë në detyrë Erion Veliajn.
Lidhur me këtë pyetje, Muçollari tha se ky nuk është një lajm i mirë, jo vetëm për PD-në, por për qytetin që do të vijojë të jetë në këtë derexhe.
Pjesë nga biseda:
Minga: Nëse GJK jep vendimin që Veliaj rri në detyrë, çfarë do të thotë kjo për PD?
Muçollari: Përtej PD-së, do të thotë humbje për Tiranën mbetet në këtë derexhe.
Borakaj: Ju kënaq apo jo?
Muçollari: Normalisht që jo.
Minga: Supozojmë se nesër fiton Binaj rregullohet Tirana? Prandaj them që shteti i së drejtës duhet të prevalojë, prandaj ju duhet të prisni vendimin e GJK. Ajo që po ndodh, dhe unë s’jam dakord, është që të dyja partitë janë në fushatë edhe pse nuk kanë një datë.
Hasimja: Partitë janë në fushatë se kështu ka vendosur PS.
Minga: Por do të ishte më normale që ne të prisnim vendimin.

