Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ndodhet në Berlin. Shefi i qeverisë po merr pjesë në forumin e ‘Berlin Global Dialogue’, aktivitet që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin gjerman me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri shqiptar duke iu referuar atentatit të dështuar ndaj Presidentit të SHBA-së vitin e kaluar, deklaroi se “Zoti e shpëtoi Donald Trump për të shpëtuar edhe Evropën”, duke theksuar nevojën që Bashkimi Europian të reflektojë mbi zhvillimet e fundit politike dhe gjeostrategjike. Rama nënvizoi se Evropa duhet të ketë një strategji të qartë për të ardhmen dhe të mos mbështetet vetëm tek Shtetet e Bashkuara për politikën e jashtme apo për paqen.
Rama: Zoti e shpëtoi Donald Trump për të shpëtuar dhe Evropën. Evropa duhet të mbledhë veten. Nëse do të ruajë rëndësinë e saj duhet të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë me shpejtësi, duke e nisur me reflektimin mbi atë çka ka ndodhur deri në zgjedhjen e Donald Trump dhe më pas përkundrejt luftës në Ukrainë dhe të pyesë veten nëse ka një strategji të qartë për këtë. Dhe nëse është e bëshme të vazhdojë t’i jashtëkontraktojë amerikanëve politikën e vet të jashtme dhe nëse është normale që të mos ketë planin e vet të paqes.

