Linjat ajrore që fluturojnë nga dhe drejt aeroportit të Ohrit mund të numërohen me gishta. Kjo bën që Ohri, bashkë me gjithë rajonin, të humbasë konkurrencën dhe të mbetet pas krahasuar me aeroportet e vendeve fqinje, theksojnë përfaqësuesit e sektorit të turizmit. Gjatë sezonit dimëror të fluturimeve, nga aeroporti i Ohrit do të ketë fluturime vetëm drejt Cyrihut, Dortmundit, Memingenit dhe Vjenës, si dhe drejt dy destinacioneve të reja, Milhaus-Bazel dhe Bratislavë. Ndërkohë, linja shumë e përfolur drejt Stambollit, që pritej të ishte një vlerë e shtuar për turizmin e rajonit, nuk do të funksionojë gjatë kësaj periudhe. Ajo do të rikthehet nga 27 marsi.
„Ne kemi një aeroport funksional dhe të pajisur sipas të gjitha standardeve, por nuk po arrijmë të sjellim më shumë linja ajrore. Shqipëria po hap aeroport të ri në Vlorë – do të thonë se është deti, por deti është det, e liqeni është liqen. Megjithatë, Ohri si destinacion turistik dhe Liqeni i Ohrit si pasuri natyrore, ofrojnë mjaft për një sezon turistik që mund të zgjasë 8 deri në 9 muaj. Në Tiranë, ndërkohë, po bëhet garë për çdo fluturim të ri – aeroporti atje është i mbingarkuar“, tha Jaqim Malenko – pronar i një agjencie turistike.
„Primatin po e marrin aeroportet e Beogradit dhe Tiranës. Vetëm në Tiranë, gjatë sezonit të vitit 2024, u shënuan rekorde me mbi 150 deri në 160 fluturime në ditë. Gjithnjë e më shumë qytetarë nga pjesa perëndimore e Maqedonisë po zgjedhin aeroportin e Tiranës për shkak të ofertave me çmime të ulëta dhe destinacioneve të shumta. Kjo po ndikon që edhe operatorët turistikë të orientohen drejt Tiranës, ndërsa Maqedonia të mbetet gjithnjë e më shumë një destinacion për udhëtime të shkurtra, një apo dyditore“, u shpreh Ljupço Janevski – punonjës turistik.
Përfaqësuesit e sektorit turistik theksojnë se çdo linjë e re është e mirëseardhur dhe se është më se e nevojshme që shteti të vendosë më shumë theks te aeroporti i Ohrit.
„Duhet menduar seriozisht për hapjen e linjave të reja ajrore, veçanërisht për aeroportin e Ohrit. Ai jo vetëm që ka humbur fluturimet çarter gjatë sezonit veror, por edhe jashtë sezonit ka mbetur me shumë pak linja nga të cilat mund të presim vizitorë. Sa më shumë fluturime të ketë, aq më shumë mysafirë do të kemi, qoftë bashkatdhetarë që punojnë jashtë vendit, qoftë turistë individualë apo grupe të organizuara“, theksoi Jaqim Malenko – pronar i një agjencie turistike.
Në orarin veror të fluturimeve për momentin parashikohen linja drejt Beogradit, Cyrihut, Mançesterit, Amsterdamit, Stambollit, Dortmundit, Memingenit dhe Vjenës, ndërsa janë paralajmëruar edhe dy linja të reja drejt Polonisë. Sektori turistik pret që autoritetet të dëgjojnë kërkesat e tyre për më shumë linja ajrore nga Ohri. Veçanërisht kërkohet rikthimi i linjës drejt Malmës dhe hapja e linjave të reja drejt Italisë, ku jetojnë një numër i madh emigrantësh nga ky rajon./Alsat.mk

