Familja e dëshmorit Imri Elezi ka reaguar pas aktivitetit përkujtimor të mbajtur në shkollën fillore që mban emrin e tij në Shkup, duke shprehur keqardhje për faktin se nuk janë ftuar apo njoftuar për të marrë pjesë në ditën e patronatit të shkollës. Në reagimin e familjes thuhet:
“Me keqardhje të sinqertë si familje e Imri Elezit, heroit kombëtar që mban emrin e kësaj shkolle, ndjejmë nevojën të shprehim habinë dhe hidhërimin tonë që nuk kemi marrë asnjë ftesë apo njoftim për të qenë pjesë e aktivitetit përkujtimor në ditën e patronatit. Për ne, kjo ditë është jo vetëm nder për emrin e tij, por edhe një moment i rëndësishëm shpirtëror e familjar. Mungesa jonë sot nuk ishte zgjedhje, por pasojë e mosinformimit, dhe kjo na ka lënduar.” Familja Elezi thekson se respekti për figurën e heroit përfshin edhe përfshirjen e familjes së tij në aktivitete të tilla, duke kërkuar që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. “Besojmë se respekti për figurën e Imriut përfshin edhe përfshirjen e familjes së tij në aktivitete të tilla. Me shpresë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”. Reagimi përfundon me një apel për më shumë kujdes dhe respekt institucional ndaj figurave që kanë dhënë jetën për lirinë dhe identitetin kombëtar.

