Franca ndodhet në një valë të re tensioni social dhe politik, teksa sindikatat e mëdha kanë bashkuar forcat për të organizuar një nga grevat më masive të dekadës.
Greva e sotme, që pritet të përfshijë rreth 800.000 protestues në gjithë vendin, është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj politikave shtrënguese dhe masave të kursimit të propozuara nga qeveria.
Sindikatat kërkojnë nga kryeministri i ri, Sébastien Lecornu, të tërheqë paketën e re të buxhetit, e cila përfshin shkurtime në shërbimet publike, ngrirje të përfitimeve sociale dhe mungesë mbështetjeje për rritjen e pagave dhe pensioneve. Lecornu ka marrë postin vetëm pak ditë më parë, pas dorëheqjes së François Bayrou – i treti që largohet brenda një viti, mes përplasjeve të forta për politikën fiskale.
Protesta kombëtare dhe paralizë infrastrukture
Që në orët e para të mëngjesit, janë raportuar bllokime të depove të autobusëve, shkollave dhe linjave hekurudhore në Paris, Amiens dhe rajone të tjera. Në total, janë planifikuar mbi 250 protesta në nivel kombëtar, ndërsa 80.000 efektivë policie janë vendosur në gatishmëri.
Kjo pritet të jetë dita më e madhe e protestave që nga viti 2023, kur qytetarët dolën në rrugë kundër reformës së pensioneve të miratuar nga presidenti Macron pa votim parlamentar, duke rritur kufirin e daljes në pension në 64 vjeç.
Presioni ndaj qeverisë së re
Lecornu, ish-ministër i Mbrojtjes dhe aleat i afërt i Macron, ka hyrë në detyrë me niveli të ulët popullariteti dhe vështirësi për të krijuar një qeveri të qëndrueshme. Aktualisht ai përpiqet të formojë një qeveri pakice, duke kërkuar mbështetje ose të paktën një “pakt mos-sulmi” nga partitë opozitare.
Takimet e tij me partitë e majta, përfshirë Socialistët, nuk kanë dhënë rezultate të qarta. Këta të fundit kërkojnë shfuqizimin e masave shtrënguese dhe vendosjen e tatimeve më të drejta për më të pasurit. Nga ana tjetër, Marine Le Pen ka paralajmëruar se nëse Lecornu ndjek të njëjtën linjë politike si paraardhësit e tij, “qeveria do të rrëzohet”.
Sfidat ekonomike dhe vlerësimi i kreditit
Situata politike e brendshme vjen në një kohë kur Franca ndodhet nën presion ndërkombëtar për të ulur borxhin dhe deficitin, që ka arritur në 114% të PBB-së. Javën e kaluar, agjencia Fitch Ratings uli vlerësimin e besueshmërisë financiare të Francës, duke cituar pasigurinë politike si një ndër arsyet kryesore.
/vizionplus.tv