Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka shprehur pikëllimin e tij për ndarjen nga jeta të ish-Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dick Cheney. Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar, Ahmeti ka vlerësuar Cheney-n si një prej figurave më me ndikim të politikës amerikane, i cili ka lënë gjurmë të thella në historinë e SHBA-së. “Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dick Cheney. Kam pasur nderin ta takoj dhe ta njoh nga afër një prej figurave më me ndikim të politikës amerikane, që mbetet në historinë e SHBA-së si një ndër zëvendëspresidentët më të fuqishëm dhe më vendimtarë të kohës së tij”, shkruan Ahmeti. Ai ka theksuar se Cheney ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, në periudha kur rajoni kishte më së shumti nevojë për mbështetje dhe vizion strategjik. Ahmeti gjithashtu ka kujtuar rolin e tij në periudhën 2001–2009, kur Cheney shërbeu si Zëvendëspresident i SHBA-së, duke e cilësuar si një figurë kyçe në përballjen me krizat globale dhe në mbrojtjen e vlerave demokratike perëndimore. Në fund, lideri i BDI-së ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Dick Cheney-t, duke përmbyllur me fjalët: “Qoftë i paharruar kujtimi për të!”. (Televizioni News)

