Shkup, 24 nëntor – Nga disa banka tashmë kemi konfirmim dhe pres pjesa më e madhe e tyre të ndalen pas projektit dhe përfundimisht 250 milionë euro nga huaja hungareze të ndahen në ekonominë e Maqedonisë. Kështu tha dje kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa theksoi një pjesë të marrëveshjes me bankat. “Është dakorduar norma e interesit prej 1.95 për qind deri në tre vjet grejs periudhë dhe deri 15 vjet afat të pagesës në varësi të nevojave të kompanive. Vlerësoj se kjo është një marrëveshje historike me normën historike më të ulët të interesit”, tha Mickoski. Ai theksoi se për të marrë kredi kompanitë duhet të kenë më së paku 20 për qind pjesëmarrje personale, ndërsa vlera maksimale të cilën mund ta marrin është kufizuar në 10 milionë euro.
“Kjo nënkupton se do të kemi valë investimesh prej 300 milionë euro. Të gjitha kompanitë do të kenë mundësi t’i investojnë këto mjete bazë për punë, në burime të rinovueshme të energjisë, si dhe në objekte të cilat do t’i shfrytëzojnë si ndërtesa të tyre administrative, përkatësisht për nevoja personale”, tha Mickoski.
Ndryshe, çdo kompani mund të aplikojë në çdo bankë, kështu që pas miratimit të kredisë, Banka Zhvillimore do t’i transferojë paratë. Kompanitë do të duhet të kenë pjesëmarrje prej 20 për qind me mjetet e tyre, me çka vala investuese e ekonomisë do të ishte 300 milionë euro, tha kryeministri Hrisitian Mickoski, duke shtuar se mjetet do të jenë në dispozicion nga nesër. Interesi 2% për këto kredi është i pranueshëm për ekonominë. Ky 2% është një ulje drastike nga norma e konsideruar fillimisht 2.7% që ishte në lojë deri të premten. Interesi 2% i paguar nga kompanitë do të mbahet nga bankat, si sigurim rreziku dhe si provizion, fitimet, dhe do të detyrohen të kthejnë vetëm 250 milionë euro si principal nga kredia. Këtë principal, plus interesin prej 3.25%, shteti do t’i duhet t’ia kthejë Hungarisë në 15 vitet e ardhshme.