Shkruan: Refik Ajeti
Që në ditën e parë që kemi ardhur në këtë botë, kemi nisur një rrugëtim për të cilin nuk kemi patur informatat e duhura se si do të vijojë, kur do të mbaron apo në çfarë forme do të mbaron. Deri në një moshë të caktuar, jemi endur në rrugë të ndryshme duke mos e ditur arsyejen se pse jemi duke u endur në ato rrugë. Ndodhë që një tronditje në jetë, të na bëjë të ndalemi dhe ta investigojmë qëllimin tonë në këtë botë. Ky investigim ndonjëherë nuk na i jep përgjigjet e duhura, me qëllim që të na tregojë se nuk është ajo përgjigje që na duhet në momentin e investigimit. Të lodhemi është çështje e procesit jetësorë, por ta zgjedhim për çfarë të lodhemi dhe ta peshojmë a ia vlenë të lodhemi?, e tëra është në vullnetin tonë, dhe në bazë se ku janë të drejtuara dëshirat tona dhe rezultatet e sukseseve tona ku dëshirojmë t’i takojmë përgjatë rrugëtimit. Dy njerëz, në një vit, muaj, datë, orë dhe në të njejtin vend që kanë lindur, ndodhë që njëri prej tyre të bëhet shembull jo i duhur për shoqërinë, edhe po të jetojë 100 vjet. Ndërsa në anën tjetër, tjetri edhe po të jetojë 25 apo 50 vite, shoqëria do ta mbajë mend edhe pas dy apo tre gjenerata si kontribuesin më të madh derisa ishte gjallë. Ndodhë që trëndafili t’i bie në dorë njeriut që e sheh botën me pesimizëm, gjëja e parë që mund të bëj, është që t’i afrohet shoqërisë për ta ngacmuar duke përdorur therrën e trëndafilit, sikur t’i kishte faj shoqëria pse ai ka vendosur të jetë i tillë, edhe pse ka qenë në dorën e tij të vendosë se cili të bëhet, pavarësisht presioneve të shoqërisë. Ndërsa në anën tjetër, njeriu që e sheh botën plot optimizëm, këputjen e trëndafilit e bën me qëllimin për t’i kënaqur të tjerët me aromën e trëndafilit, por edhe si një gjest për të shprehur dashurinë ndaj njerëzimit.