Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev thotë se nuk është duke u përpiluar ligj për balancuesin ashtu siç pretendon koalicioni VLEN, shkruan Alsat.
Sipas Minçev, së pari do të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa më pas do të veprohet për ligj të ri eventual, por duke theksuar se kjo varet nga vendimi i gjykatës.
“Në këtë moment nuk mund të them nëse do të ketë ligj të ri, ose cila do të jetë përmbajtja. Do ta pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Varësisht asaj neve do të veprojmë drejtë zgjidhjes së re ligjore. Ligji nuk është në përgatitje. Ministria e Administratës Publike duhet ta sjell atë”, tha Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike.
VLEN tashmë disa ditë trumbeton idenë se balancuesi do të merr trajtë ligjore. Në intervistën e fundit për Alsat, Kaltrian Zekolli nga VLEN tha se ligji është në fazën e përpilimit.
“Ligji është në fazën e përpilimit. Shumë shpejtë do të dalim me të dhëna më të sakta se si do të rregullohet statusi i të gjitha përfaqësive etnike në vendin tonë”, u shpreh Kaltrina Zekolli, Zëvendësministre e Transportit dhe Lidhjeve.
Ndryshe nga Zekolli, sot Arben Taravari tha se do të përpilojmë ligjin.
“Ne edhe ashtu kishim marrëveshjes me VMRO-DPMNE përpara se të fillojë koalicioni se fillimisht duhet të merremi vesh për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe më pas, balancuesin”, theksoi Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.
Se ligji është në proces të përgatitjes këtë e tha zyrtarisht VLEN një ditë më parë kur i reagoi vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të nisur procedurën e vlerësimit të kushtetutshmërisë së balancuesit. / Alsat.mk