Zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor 2023 dhe në krahina.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, njoftuan për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna, përfshirë në kryeqytetin serb, Beograd.
Me shpalljen e zgjedhjeve, Vuçiq ka shpërndarë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022.
Por, siç duket Serbia është “kujdesur” që shqiptarët atje mos të jenë shumë në numër për të votuar.
Sipas një raporti të publikuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), me titull “Pasivizimi i adresave të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese”, së paku 3370 shqiptarë janë fshirë nga lista e votimit në Luginën e Preshevës në periudhën nga 2015 deri në 2022.
Marko Milosavljevic, Shef i Kërkimit dhe Avokimit në YIHR Serbi, dhe Dr. Milos Rasic, PhD në Etnologji, dhe Relja Pantic, shef i departamentit të ankesave në shërbimin profesional të Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë kanë treguar se nga korriku deri në shtator të këtij viti, hulumtuesit nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi kanë kryer një anketë për pasivizimin e adresave të qytetarëve të Serbisë të përkatësisë etnike shqiptare në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Bazuar në intervistat, qasjen në vendimet e Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MUP) për pasivizimin e adresave, si dhe të dhënat për ndryshimet në listat zgjedhore dhe intervistat me aktivistë vendas dhe parti politike, ata zbuluan se 72% e të anketuarit nuk kishin marrë vendim për pasivizimin, por ishin informuar vetëm verbalisht dhe se 80% e tyre kishin humbur të drejtën e votës.
Kjo Nismë i bën thirrje prokurorisë kompetente dhe organeve të pavarura shtetërore si Avokati i Popullit që të hetojnë plotësisht pretendimet në ankesë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit. Kërkojmë që Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë të publikojë statistikat e qytetarëve sipas përkatësisë etnike që kanë qenë pasive nga viti 2012 deri në vitin 2023 në të gjitha komunat e Serbisë, përfshirë Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën.
Hasani: Në Komunën e Medvegjës dhe në Malësinë e Bujanocit ka më së shumti ka qytetarë që janë pasivizuar
Në anën tjetër, analisti nga Presheva, Refik Hasani, thotë se kjo listë është e saktë.
Hasani ka kërkuar që ky pasivizim të hetohet, pasi që nuk është vetëm në Preshevë, por gjithandej Serbisë.
“Mendoj se kjo listë, prej 3370 shqiptarë, nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, është e saktë, bile ka edhe më shumë se ky numër. Mund të konstatohet lehtë veçmas në Komunën e Medvegjës dhe në Malësinë e Bujanocit, (prej nga vijë unë), ku më së shumti ka qytetarë që janë pasivizuar. Po, është një pastrim etnik-në fakt, por quhet pasivizimi i adresave, do të duhej të hetohet, nga instanca e Mekanizma të BE-së, numrin e saktë të shqiptarëve, të pasivizuar-Jo vetëm në Krahinën e Preshevës, por gjithandej Serbisë, fare lehtë verifikohet, hetohet”, deklaron Hasani.
Sipas tij, duhet të dihen saktë adresat.
“Nëse OSBE-ja, kërkon listën zyrtare nga Ministri e Brendshme e Republikës së Serbisë. Apeloj nga BE-së, fillimisht të dihet saktë nga Ministria e Brendshme e Serbisë numri i të pasivizuarëve, e pastaj të ndalet-duke ju kthyer gjithë të pasivizuarëve adresat që na takojnë, sipas gjitha akteve e konventave ndërkombëtare, që Serbia është nënshkruese e tyre”, shprehet analisti nga Presheva.
Përmes pasivizimit të adresave, Hasani thotë, se Serbia dëshiron pakësimin e shqiptarëve dhe këtë ai e quan pastrim etnik.
“Përmes pasivimzimi të adresave që është një pastrim etnik, Serbia dëshiron të pakëson numrin e Shqiptarëve. E kur e marrim parasysh se kemi një diskriminim që po vazhdon edhe në përdorimin e Gjuhës Shqipe, diskriminim në përdorimin e Simbolit Kombëtarë, diskriminim në investime, kemi diskriminim në përfaqësime në nivelin lokal e nivelin qendror. Kjo na jep të kuptojmë se Serbia dëshiron me çdo kusht të na pakësojë”, deklaron Hasani.
Ai konsideron se në një mënyrë BE pajtohet me diskriminimin klasik të fjalës për shqiptarët në Serbi.
“Bashkimi Evropian, deri sa kërkon dhe insiston diskriminim pozitiv të pakicës Serbe në Republikën e Kosovës, në njëfarë mënyre Bashkimi Evropian, pajtohet në diskriminimin klasik të fjalës për ne shqiptarët në Serbi, përkundër që kemi mbajtur e organizuar Referendumin, më datën 1 e 2 mars të vitit 1992, dhe kemi sakrifikuar edhe në kryengritjen e armatosur të UÇPMB-ës, kështu jemi Rajoni më i pazhvilluar ekonomikisht dhe më i diskriminuar në gjithë Evropën”, shton ai.
Mehazi: Veprimet e rrezikshme serbe ndaj shqiptarëve të Luginës politikisht e kanë kuptimin e aparteidit dhe gjenocidit shtetëror
Në anën tjetër, analisti Sulejman Mehazi, thotë se Serbia edhe më herët ka përdorur fshirjen e popullatës shqiptare dhe vazhdon edhe sot.
Ai veprimet e Serbisë i quan të rrezikshme dhe kriminale.
“Si gjithmonë Serbia ka përdorur fshirjen e popullatës shqiptare që nga Nishi, Leskovci, Sanxhaku duke vazhduar edhe sot e kësaj dite në Luginën e Preshevës dhe se qëllimi i pasivizimit dhe zhdukjes së adresave të qytetarëve shqiptarë është politike e fashizoide vetëm për të ndryshuar strukturën demografike e etnike të shqiptarëve në jug të Serbisë, taktika Vuçiqit është e njëjtë si e Çubrilloviqit dhe Rankoviqit, por me metoda më të sofistikuara politike e “paqësore”. Derisa Çubrilloviqi e përzinte popullatën shqiptare nga Nishi e Sanxhaku me dhunë, vrasje e dëbime, Vuçiqi lufton shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes me pasivizimin e adresave që 3370 shqiptarë të kësaj ane të mos kenë asnjë të drejtë punësimi, martese, blerje të tokave të patundshme e të tundshme dhe të mos kenë të drejtë votimi. Shkurt e qartë veprimet e rrezikshme serbe ndaj shqiptarëve të Luginës politikisht e kanë kuptimin e aparteidit dhe gjenocidit shtetëror të Serbisë ndaj 3370 shqiptarëve të pasivizuar si mos me ekzistuar fare në trojet e veta ku kanë lindur e jetuar denbabaden në jug të Serbisë. Veprimet politike serbe ndaj banorëve të kësaj ane janë kriminale e me peshë shumë më të madhe sesa gjenocidiale për shkak se afër 4000 shqiptarë të pasivizuar nuk kanë të drejtë edhe të varrosen në vendlindjet e tyre Preshevë, Bujanovcë e Medvegjë”, deklaron Mehazi.
Sulejman Mehazi
Foto galeri
Ai shifrën e njerëzve që janë larguar nga lista e konsideron alarmante, gjersa shton se Serbia me një “paqe” vepron kundër shqiptarëve.
“Besojmë se ardhja e krerëve të partive politike shqiptare të Luginës në Prishtinë do ndikojë te kryeministri Kurti që qeveria e Kosovës të alarmojë për gjendjen amorfe të afër 4000 mijë shqiptarëve pa fare nishane ekzistenciale në shtëpitë e tyre. Nëse në luftën izrailete-palestineze janë vrarë 11000 persona në Luginën e Preshevës politika dhe qeveria serbe ka bërë të njëjtën vrasje qeverisëse të 3370 shqiptarëve në Luginë, bile Serbia ndaj këtyre shqiptarëve ka vepruar dhe me keq për shkak se bën krime jo luftarake, por krime të poshtëruara e ofenduese politike pa farë lufte e betejash, prandaj si e qysh ky gjenocid i qeverisë së Serbisë ndaj 3370 qytetarëve të Luginës duhet të alarmohet në të gjitha instancat më të larta botërore të Këshillit të Sigurimit në OKB, SHBA dhe BE nga të dyja shtetet shqiptare, Shqipëri e Kosovë. Atë që e bën Izraeli me luftë në Palestinë shumë më keq e bën Serbia me një “paqe” brutale e të sofistikuar vepron kundër 3370 shqiptarë që konsiderohen nga Vuçiqi si të zhdukur në jug të Serbisë”, përfundon Mehazi.
Ndryshe, në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi kandidojnë shtatë kandidatë shqiptarë për deputetë: Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Ragmi Mustafa, Shqiprim Jonuzi, Naser Aziri, Armend Aliu dhe Shqiprim Arifi.